Isa Mulaj
Transicioni i shoqëruar me shpërbërjën e ish-Jugosllavisë rezultoj me hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike divergjente nga shtetet e reja. Tregu i përbashkët Jugosllav ishte çintegruar dhe në vend të tij u shfaqen shumë pengesa në shkëmbimet tregatare. Nga një ekonomi që për dy dekada deri në fillim të viteve ’80-ta kishte pasur bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, gjatë transicionit për në ekonominë e tregut në kuptimin e plotë (ish-Jugosllavia ka qenë ekonomi gjysmë e tregut) shtetet e reja, me përjashtim të Sllovenisë, ende kanë deficit të lartë tregtar.
Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Kosovës gjithmonë ka qenë shumë më i vogël se importi. Në vitin 1987, afër 2/3 e bruto prodhimit material (kështu quhej atëherë) të Kosovës ishte tregtuar në tregun lokal dhe më pak se 1/4 në njësitë tjera federative të ish-Jugosllavisë. Vetëm 12% e tregtisë së përgjithshme llogaritej si eksport në shtetet e jashtme ose mbulesë e importit me eksport. Nëse kësaj i shtohet edhe eksporti brenda ish-Jugosllavisë, eksporti i Kosovës ka qenë ndërmjet 35% dhe 36% e importit të përgjithshëm. Dy dekada me vonë ose në fund të vitit 2007, ky tregues siç e raporton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është vetëm 6,4%. Kjo mbulesë tejet e vogël duket si përmirësim nga vitet paraprake kur kishte qenë 5,7% më 2006 dhe 4,1% më 2005.
Eksporti në strukturë ose raport ndaj importit ka arritur diçka më shumë se gjysma e asaj që ishte më 1987. Mirëpo, këtu tani përfshihet edhe eksporti në shtetet e pavarura që dolën nga ish-Jugoslavia që në të kaluarën llogaritej si tregti e brendhshme. Në vëllimin e përgjithshëm të eksportit gjatë vitit 2007 në vlerë prej 96.420.000 euro, katër vende të ish-Jugosllavisë (Maqedonia, Serbia, Bosna dhe Hercegovina, dhe Sllovenia) marrin pjesë me rreth 35%, që nuk përfshinë edhe pjesëmarrjen shumë të vogël të dy shteteve tjera (Kroacisë dhe Malit të Zi). Eksporti i Kosovës në vendet e ish-Jugosllavisë duket me strukturë më të përmirësuar, por në raport me importin prej të njëjtave vende shumë më i disfavorshëm ose deficit tregtar më të përkeqësuar. Deri në 40% e importit vie nga këto shtete. Vetëm Maqedonia dhe Serbia përfaqësojnë mbi 30% e importit të përgjithshëm të raportuar në Kosovë. Eksporti për në Serbi ka rënë ndërsa importi është shtuar dukshëm nga viti 2006 në vitin 2007. Një partner i rëndësishëm në shkëmbimet tregtare të Kosovës tani është Shqipëria, kryesisht vetëm në eksport. Eksporti i Kosovës në Shqipëri për vitin 2007 përfaqësonte 15,3% e vlerës së përgjithshme dhe kjo është paraqitur si rritje nga viti paraprak si në vlera absolute ashtu edhe në përqindje. Me këtë pjesëmarrje (15,3%) Shqipëria paraqitet si vendi kryesor menjëherë pas Maqedonisë (15,7%) ku Kosova eskporton.
Këta tregues sugjerojnë se Kosova është duke bërë një lloj integrimi tregtar dhe ekonomik sikur në të kaluarën të cilit i shtohet edhe Shqipëria. Kostoja e këtij (ri)integrimi duket më e lartë dhe me pengesa të shumta. Levizshmëria e mallrave dhe e njerëzve nga Kosova është kufizuar në shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, e mos të flasim për në disa shtete të Bashkësisë Europiane (BE) që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë. Është indoktrinuese fushata me parullat “E tash Europa; Eja në Europë” që është duke u zhvilluar nepër disa qytete dhe fshatra të Kosovës në kohën kur enklavizimi ekonomik në baza etnike është intensifikuar në terren. Kosova nuk është e integruar brenda vetevtes e disa na shpifin se e ardhmja e saj është integrimi në BE. Një grup tjetër na shpifin për gjoja vlerat kulturore të BE-së si element kryesor i arsyeshmërisë për integrim, duke harruar se moto e BE-së është “të bashkuar në diversitet”. Autorët dhe aktorët e parullave “E tash Europa; Eja në Europë” janë të ngjashëm me ata që na i promovonin dogmat e vëllazërim-bashkimit. Disa shqiptarë ende vazhdonin me parullat e vëllazërim-bashkimit në kohën kur disa njësi federative shikonin si të zhvilloheshin me tepër, e pse jo edhe të shkëputeshin nga ish-Jugosllavia (kujto pranverën kroate më 1971, demostratat e studentëve në Kosovë më 1981, dhe përgatitjet e Sllovenisë për pavarësi në fund të viteve 80-ta).
Parulla “E tash Europa..” është joreale. Cila Europë? Nga ajo që u përshkrua më lartë kjo duket të jetë ish-Jugosllavia dhe Shqipëria dhe shtetet përreth si Greqia, Bullgaria, dhe Rumania. Nëse mendohet në anëtarët tjerë të BE-së ose shtetet përendimore, atëherë nuk ka nevojë të na thuhet “Eja në Europë”. Vetëm le t’i hap dyert dhe brenda një periudhe njëmujore së paku 1/4 e popullsisë shumicë të Kosovës do të jetë atje. Para se ta bëjnë këtë, do të ishte mirë që ato shtete të mos na torturojnë tej mase për viza kur garancionet janë zyrtare, e sidomos një shtet anëtar i BE-së me të cilin para 20 viteve ishim në një shtet të përbashkët dhe kishim të njëjtat pasaporta. Çfarë kuptimi ka tash parulla “Eja në Europë” në rrethanat aktuale të Kosovës?
Autorët, aktorët dhe sponzorët e parullës “E tash Europa…” ose e nënvlerësojnë seriozisht situatën në terren, ose janë duke synuar t’ua mbyllin sytë njerëzve përballë realitetit. Ata ndoshta nuk e njohin sa duhet historinë e BE-së. Sa për informim të shkurtë, ajo që sot njihet si BE është themeluar në vitin 1957 dhe për 35 vite në vijim quhej Bashkësia Ekonomike Europiane (BEE). Ka qenë ekonomia dhe vetëm ekonomia forca shtytëse e integrimit Europian. BE-ja është themeluar më 1993 me traktatin e Mastrihtit të nënshkruar më 1992 për ta ushtruar dhe zgjeruar veprimtarinë e saj në këto tri shtylla: 1) Bashkësia Europiane; 2) Politika e jashtme dhe siguria e përbashkët; dhe 3) Bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe gjyqësorit në çështjet kriminale. Shtylla e parë merret me politikat ekonomike, sociale dhe të mjedisit. Kjo duhet të na interesoj më së shumti, e jo parulla “Eja në Europë”. Vetëm ekonomistët nuk e kuptojnë si duhet se ekonomia dhe ndikimi i saj është politika më e madhe dhe më e mençur. Si të integrohemi ne në BE kur ekonominë tonë me qëllim e kemi lënë krejtësisht pas dore? Të gjitha qeverive të Kosovës që nga pas lufta e fundit kanë mundur t’iu interesojnë lloj-lloj dogmash për BE-në por në aspektin ekonomik kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë çintegrimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për banorët shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës me përjashtim të deklaratave të thata si strukturat paralele, esktremistët serbë, Beogradi, etj. Për dallim nga qeveritë tona, qeveria e Serbisë është marr dhe vazhdon të merret me spastrim ekonomik dhe etnik në atë pjesë duke i blerë pronat e shqiptarëve dhe duke i detyruar ata të shpërngulen më në brendi të Kosovës. Me vetë faktin se qeveritë e Kosovës nuk kanë ndërmarrë me kohë asgjë në aspektin ekonomik për ata që u shpërngulën nga atje dhe i shitën pronat, janë përgjegjëse për spastrimin etnik të atij rajoni po aq sa edhe vet serbët dhe Serbia. Nuk po i përmendim këtu edhe planet për kolonizimin e pjesëve tjera të Kosovës që do t’ia ngushtojë popullsisë shumicë hapësirën e veprimit në terren sikur me rastin e eksperimentit të miut në kafaz. Qeveritë e Kosovës shumë rrallë i kanë inkurajuar shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe atë vetëm me fjalë, që të mos i shesin pronat por të qëndrojnë atje pa përkrahje dhe mbrojtje institucionale, pa punë dhe pa mjete për ekzistencë. Në anën tjetër, qeverive të Kosovës i kanë tepruar qindra miliona euro nga buxheti si suficit, për çka janë kritikuar shumë herë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për planifikimin dhe qeverisje të dobët të buxhetit.
BE-ja i ofron përkrahje, lehtësira dhe i bënë presion Serbisë që të ofrohet për anëtarësim në BE dhe Serbia tregohet e rezervuar. Kosova dëshiron të anëtarsohet në BE ndërsa BE-ja nuk e pranon.
Ndoshta edhe ne duhet të jemi pak refuzues sikur Serbia që BE-ja të na lusë për anëtarësim! Në rast se BE-ja reagon ndryshe ndaj neve në krahasim me Serbinë ose në disfavor tonin, atëherë ne mund ta akuzojmë se zbaton standarde të dyfishta! Kështu në vend të fushatës “E tash Europa; Eja në Europë” duhet ta zhvillojmë fushatën “E tash Mitrovica, Parteshi, Brezovica..; Eja në Mitrovicë, Partesh, Brezovicë…” ose “E tash rreziku i çintegrimit ekonomik të Kosovës.” Fushata e tanishme “E tash Europa” është vetëm dëshirë. Parulla e mëhershme “Bac, u kry!” po ashtu ishte dëshirë. Derisa qasja të jetë e orientuar vetëm në dëshira, nuk ka kurrfarë integrimi as në BE e as diku tjetër. Një fjalë latine thotë: radix malorum est cupiditas – rrënja e të këqijave është dëshira.
Isa Mulaj është hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike
Të lumtë zoti Mulaj
Kjo analizë më ka pëlqyer shumë për shkak se autori i thotë gjërat ashtu si janë dhe jo sic donë ti paraqes propaganda e qeverisë së Kosovës dhe UNMIK/BE-së
Këto fushatat “Eja n’Evropë” janë fyerje për popullin e Kosovës. E them këtë se derisa sa këto fushata janë duke u zhvilluar, me mijra kërkesa për viza të shqiptarëve të Kosovës, pothuajse të gjitha, refuzohen nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së.
Ata që nuk dinë shumë për BE, ndoshta mashtrohen të besojnë se Kosova do të bëhet anëtare e BE-së edhe pak vjet, por ne që dimë pak më shumë dhe kemi parë gjërat nga afër kemi një mendim tjetër që është më afër të vërtetës.
Sondazhet e Eurostat të kryera në vendet e Bashkimit Evropian, perfshirë edhe shtetet e reja të ish bllokut komunist, tregojnë se shqiptarët tani për tani nuk janë të mirëseradhur në BE. Këtu bëhet fjalë për shqiptarët e Shqipërisë pasi në kohën kur u kryen këto sondazhe Kosova ende kishte status të pazgjidhur dhe nuk ishte ne bisedime per SAA. Por e njejta gjë vlen edhe për ata të Kosovës, ndoshta edhe më pak bile për ata të Kosovës kur marrim parasysh propagandën serbe kundër Kosovës. Këto statistika tregojnë se edhe Serbia që deri dje në Europë ishte e njohur për maskra në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci është më e mirëseardhur se Kosova dhe Shqipëria.
Ky shkrim edhe ven ne pah një gjë që shumë e dijnë por nga korrektsia poltike nuk e thonë. Kjo është përkdhelja tes mase e Serbisë që në cdo fushë ka qëndrime diametralisht të kundërta me BE-në, nuk dorëzon vrasësit serik nga Srebrenica etje. Sa herë që Serbia kundërshton BE-në, aq më shumë rriten të mirat që BE i jep Serbisë.
Shqiptarët të gjorët sillen si robota, pa mendime të tyret, pa bindje, kur është në pyetje BE-ja. Cdo gjë që thonë byrokratët në Bruksel është automatikisht edhe mendimi personal i marionetave në Prishtinë. Shpërblimi sic po shihet është mos dhënja e vizave, lejimi i strukturave paralele në Kosovë etje etje
Edhe një herë z. Mulaj ishte shumë kënaqësi të lexoja këtë analizë dhe shpresoj se do të sillni analiza të tilla edhe në të ardhmen.