Le të dihet, pra, se në kontinentin tonë – më i dënueshëm është zbulimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur sesa t’i vrasësh si kafshët në fusha të hapura qindra mijëra civilë.Me arrestimin e Baton Haxhiut, një kapitull i errët u mbyll në Ballkan.
—–
Lavdi i qoftë Tribunalit të Hagës që më në fund e kënaqi drejtësinë. Tash mund të flenë të qeta viktimat e luftërave të gjata në rajon. Familjet e tyre po ashtu do të fillojnë një jetë të re. Historinë të gjithë do ta lëmë prapa.
Të gjallë e të vdekur po ndihemi shumë më mirë tash, sesa para dy ditësh. Arrestimi i Baton Haxhiut, shpresojmë, do të jetë një ogur i mirë, për gjithë njerëzit e paqes. Një gur I madh do t’u hiqet prej zemrave të gjitha atyre nënave, fëmijët e të cilave u vranë gjatë luftës.
Shkuarja e tij në Hagë patjetër se do të jetë fatkeqësi për ata qindra banditë e kontrolluar prej Haxhiut, e të cilët mbajnë penjtë e kontrabandës së drogës dhe naftës. Mos të harrojmë se edhe politika ballkanike përfundimisht do të frymojë më lirë, sepse edhe ashtu politikanët, jo vetëm ata të Kosovës, kanë qenë peng të Baton Haxhiut.
Me një fjalë, arrestimi i tij ishte vrima e fundit serioze që Tribunali i Hagës ende s’e kishte mbyllur.
Meqë kjo dilemë u mbyll, tash unë e kam vetëm edhe një frikë, se mos Ballkani po kalon në monotoni. Mos ky rajon po shndërrohet në një Skandinavi të dytë, ku evenimente janë vetëm të dhënat që për rritje ekonomike që lëshojnë entet e ndryshme statistikore. Për t’u realizuar ky skenar deri në detaje, ka mbetur që edhe në shtetin tonë fqinj, në Serbi, të ndodhin ca ndryshme kozmetike. Pres që të emërohet qeveria e re më në krye, Tomislav Nikolic ose Ivica Dacic. Kjo do t’u jepte një hapësirë shumë më të merituar publike engjëjve të paqes, Radovan Karadzic dhe Ratko Mladic, që për kaq shumë kohë u detyruan të jetonin në vende ilegale.
Le të dihet, pra, se në kontinentin tonë të vjetër – më i dënueshëm është zbulimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur sesa t’i vrasësh si kafshët në fusha të hapura qindra mijëra civilë. Sepse, ata që vranë dhe prenë gjatë luftërave, fare lehtë mund të bëhen edhe faktor stabiliteti. Ata mund të garantojnë stabilitet, sepse vetë e kanë shkaktuar destabilitetin. Kurse një gazetar, në fund të fundit, çka hyn në punë.
Pse të mos qërohen hesapet me gazetarët, e në të njëjtën kohë edhe të japim përshtypjen që po vendosim drejtësinë. Këtë kategori shoqërore – gazetarët – kush do t’i mbrojë. Vetëm nëse çohen lexuesit në mënyrë të organizuar dhe shkaktojnë probleme.
Përndryshe, për të gjithë ju që nuk e dini, po shpjegoj se Baton Haxhiu është akuzuar nga Tribunali i Hagës se në një shkrim të botuar në ketë gazetë, në fund të vitit të kaluar, e ka shpalosur identitetin e një dëshmitari të mbrojtur.
Kjo nuk do të jetë storia për të cilën ne do të krenohemi. Por, megjithatë, kur problemi shikohet në një kontekst pakëz më të gjerë, duhet thënë se shumë kohë para se ne ta botonim identitetin e dëshmitarit, atë emër e kanë ditur të gjithë ata që është dashur dhe që nuk është dashur ta dinë. Madje, me të thuhet se kanë qenë duke u kryer negociata që të heqë dorë prej dëshmisë. Tash, nëse emri i tij është mësuar, nëse më të kanë qenë duke u zhvilluar biseda sekrete, çfarë rreziku i paska sjell një shkrim në gazetë, kur njerëzit për të cilët është menduar se mund t’i sjellin rrezik kanë bashkëbiseduar me dëshmitarin. Apo, ndoshta Tribunali i Hagës, gjithë ketë storie ka vendosur ta shohë të dekontekstualizuar. Në rrethana normale, Haga do të duhej t’i dinte për nder Haxhiut për informatat që ia ka servuar, e jo ta trajtonte atë si pjesë të sabotazhit dhe konspiracionit kundër gjykimeve që bëhen në atë gjykatë.
Mirëpo, ketë çaraveshje të Prokurorisë dhe Hetuesisë së Hagës e konsideroj më shumë si një humbje totale të kontrollit përball misionit fillestar që ka pasur ky Tribunal. Në pamundësi për t’u marrë në mënyrë eksplicite me krimet e luftës dhe gjenocidit, Haga po godet njerëzit që gjatë karrierës së tyre profesionale vetëm ndihmë i kanë dhënë këtij institucioni. Baton Haxhiu ka qenë njëri prej njerëzve të parë që i ka ofruar ndihmë të pakompromis Prokurorisë së Hagës për t’u dëshmuar fajësia e Slobodan Milosevicit dhe shumë të dyshuarve të tjerë.
Dhe krejt në fund më duhet të them se gjithë dita më ka kaluar duke u menduar rreth storie së botuar, për të cilën Haxhiu ngarkohet.
Nuk e di pse Prokuroria e Hagës nuk është kujdesur më mirë për mbrojtjen e dëshmitarëve të vet? Pse ky institucion mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve e ka lënë në mëshirën e fatit? Jo vetëm për rastin konkret, por edhe për shumë dëshmitarë të tjerë që janë paraqitur në Hagë secili prej nesh kemi pasur të dhëna të mjaftueshme. Nëse kaq e lehtë ka qenë të mësohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, atëherë i kujt ka qenë faji. I gazetarëve apo i Hagës?
Berat Buzhala, kryeredaktor i gazetës Express
ka qen nje djale qe e kishte baben jashte
palidhje
]